Në trilogjinë e kalorësisë, siç i ka quajtur John Ford këtë seri filmash që do ta përfundojmë dy javë më vonë, e të filluar vitin e kaluar me Fort Apache, ai sjell njërën nga ndoshta historitë më romantike dhe vizualisht të bukura që kanë të bëjnë me filmat uestern.
Ngjarja zhvillohet pranë lumit Rio Grande, ku në vitin 1879, nënkoloneli Kërbi Jork është komandant i një njësiti kalorësish që ruajnë Teksasin nga dyndjet e Apaçëve. John Wayne është në rolin e Kërbit, i cili në mesin e rekrutëve të rinj, të cilët i vijnë shumë më pak se që priste në numër, dhe në mesin e këtyre pak që kanë ardhur është edhe Xheferson Jork, i biri i tij.
Kjo ardhje komplikon detyrën e Kërbit si udhëheqës, ndonëse ai është i vendosur të trajtoj të birin si krejt ushtarët e tij. Megjithatë kjo situatë bëhet edhe më komplekse kur pas të birit vjen edhe gruaja e ndarë e Kërbit, Katlina, duke e shndërruar këtë bazë në një aferë familjare në mesin e krejt situatës së tensionuar ushtarake.
Harmonia e bukur në film mes John Wayne dhe Maureen O’Hara që vjen në rolin e Katlinës ishte fillim i një bashkëpunimi që do të vazhdonte edhe në katër filma tjerë pasues duke i shtyrë edhe drejt nomimineve për Oskar më pas.
Në sfond të kësaj lidhjeje bashkëshortore pas-kurorëzimit, punë të mirë bëjnë edhe emrat e tjerë, nga Harry Carey Jr, te Ben Johnson, por gjithçka mbetet në plan të dytë.
Filmi ka goxha pamje të bukura, që nën drejtimin e John Fordit nuk janë befasi, njashtu sikur skenat e aksioneve të kalorësisë që arrijnë të ruajnë njëfarë doze me të vogël të dhunës luftarake duke shtyrë filmit të mbetet më shumë një romancë se një film lufte.
Sigurisht, filmi e ka atë narrativen kundër popullsisë vendase dhe pro të bardhëve, por nuk është diçka për t’u habitur marr parasysh kohën e realizimit. Është njëri nga filmat “më të butë” uestern. Nota personale: 4/5

