Në versionin amerikan të Erikës (!), John Ford sjell një histori tjetër në lidhje me kalorësinë e ushtrisë amerikane, më saktë, Kapitetnin Nejthën Britëlls, dhe ditët e fundit të tija në detyrë, pak para pensionimit.
Në filmin e dytë në “Trilogjinë e Kalorësisë,” John Wayne vjen në një rol më të vjetër se mosha e tij aktuale, fakt për të cilin kishte dyshime vetë John Ford nëse Wayne ishte zgjidhja e përkryer për këtë rol.
Pas përfundimit të filmit, si Ford, ashtu edhe audienca, mbeten të mahnitur nga njëra prej paraqitjeve më të mira në karrierën e John Wayne.
Roli i tij në këtë film, kapiteni para pensionit, udhëheq dy gra për në vend të sigurt, përkundër kryengritjes së indianëve vendas.
Në këtë rrugëtim, kapiteni Britëlls duhet të shfrytëzojë përvojën e tij në luftë, dhe mbi të gjitha përvojën e tij jetësore, si një njeri me zemër, që gjithmonë zgjedh humanitetin para shfarosjes!
Johanne Dru vjen në rolin e mbesës së komandantit, e cila mban një fjongo të verdhë, ashtu siç është edhe titulli i filmit, derisa në rolet tjera vijnë edhe Ben Johnson, e Harry Carey Jr..
Edhe ky film ka anën më të mirë të filmave të Ford – pamjet e bukura, vezulluese që të marrin sytë, kësaj radhe edhe me ngjyra, të natyrës së egër amerikane, duke e kthyer në një epikë të pashoq këtë film.
Kur i shtojmë kësaj aktrimin e John Wayne, fenomenal, dhe skenarin që nxjerr më të mirën si nga ai, ashtu edhe nga karakteret dytësore, kemi njërin nga filmat më të bukur që kanë bërë kjo dyshe – John Ford & John Wayne. Nota personale: 5/5

