Të rrallë janë filmat që përshkruajnë një zhanër në mënyrë aq të përsosur si “The Searchers.”
Bazuar në novelën e Alan Le May, filmi i John Ford sjell John Wayne në rolin kryesor të një ushtari veteranë që pas mbarimit të luftës kthehet në familjen e tij të gjerë për të shijuar vitet e mbetura.
Por, plani prishet kur të tërhequr në një kurth, Ithëni (John Wayne) humb të gjithë, përfshirë edhe mbesën e tij, Debin. Kjo është pikënisja e dytë e filmit, kur Ithëni bashkë me nipin e tij të adoptuar, Martinin (Jeffrey Hunter), fillojnë të kërkojnë Debin.
Qysh nga momentet e para, vizualisht filmi është një peizazh parajse, diçka që vazhdon me aventurën e dy karaktereve kryesore që sigurisht kanë ndihmë nga dashamirët e tyre.
Kjo anë e filmit bëhet edhe më e kënaqshme për syrin me ndërrimin e stinëve duke e bërë njëmend një aventurë të kompletuar që përfshinë të gjitha format e relievit dhe motit, e nëpër këto edhe betejat e aksionet që bëhen në kërkim të Debit.
Ndërtimi i ngjarjeve bëhet për merak, ndonëse nganjëherë ka momente që mund të duken si shpërqendrim nga misioni, por kjo ndihmon në shpërfaqjen e dallimeve mes dy karaktereve kryesore dhe qasjes së tyre ndaj problemeve para tyre – Ithëni një veteran lufte, i pakompromis në mendimet e tija, dhe Martini, një djalë i ri më pragmatik dhe emocional se bashkudhëtari i tij.
Nuk është një udhëtim i kotë, përkundrazi, në çdo ndalesë ka aksion a dialogë, në mos të dyja drejt misionit të tyre final.
Nuk është një film lufte, por një mision i një ushtari që pasi ka kryer luftën për vendin, tash është i detyruar të luftojë për familjen, e në këtë mision, të qërojë edhe disa hesape të mbetura nga lufta.
Aventurë e mahnitshme në botën e perëndimit të egër, udhëhequr nga John Wayne, nën drejtimin e John Ford. Ky është “The Searchers,” ndër filmat që definojnë zhanrin uestern. Nota personale: 5/5

