Pa yjet e njohura, pa ndonjë temë bombastike, John Ford merr përsipër të bëjë një film të thjeshtë, jo aq të gjatë, për qejfin e tij, duke angazhuar edhe të birin si skenarist, bashkë me Frank S. Nugent.
Tema është e thjeshtë në pamje të parë, por në vete përçon një mesazh më të thellë.
Travisi dhe Sendi janë dy “konduktorë” karrocash, dhe në fund të shek. XIX pranojnë detyrën për t’i dërguar një grup të dëbuarish nga një qytet për në “tokën e premtuar,” në Juta.
Grupi i qytetarëve janë mormonë, me një qasje më ndryshe në atë periudhë, gjë që ka rezultuar edhe me dëbimin e tyre. Në këtë rrugëtim, Travisi dhe Sendi do të jenë udhërrëfyes, kujdestarë, dhe mbrojtës të njerëzve që kanë marr përsipër t’i dërgojnë në Juta, por kjo rrugë do të ketë kthesat dhe pengesat e veta.
Pos kushteve të vështira natyrore, që për neve si shikues del të jetë ndër pjesët më të bukura të filmit, me një fotografi të ëmbël, ashtu siç di t’i bëjë filmat Fordi, Travisi dhe Sendi do të kenë probleme edhe me një familje banditësh, Klegët, dhe grupacione tjera që shihen si armiqësore, por prezantohen si diçka krejt tjetër, duke na lënë si dyshen e konduktorëve, si neve, në paqartësi se a t’u besojmë a t’i dyshojmë.
Ben Johnson e Harry Carey Jr., emra larg nivelit të atyre që angazhon John Ford, vijnë në rolet e Travisit dhe Sendit, e edhe rolet tjera dytësore nuk janë aq të njohura edhe për fansat e filmave uestern.
Në thelb, në aspektin filozofik, filmi sfidon thelbin e moralit dhe karakterit të një njeriu, e vizualisht është i mahnitshëm, duke dalë një kombinim i këndshëm artistik për fund, njëra nga veprat e nënvlerësuara të John Ford. Nota personale: 4/5

